
Ditë të këqija për Kosovën
Aktualitet, Kosova, Të fundit, Tendencat e ditës 23/02/2016 Pa Komente te Ditë të këqija për KosovënDitët e fundit lajme të këqija po na vijnë nga Kosova. Shohim skena të shëmtuara dhune, madje edhe ndaj grave për më tepër deputete. Këto veprime nuk mund të justifikohen në asnjë mënyrë, por tregojnë se deri ku kanë shkuar punët. Duket se pozita dhe opozita e Kosovës i janë futur një lufte politike që po shkon shumë larg. Dhe me sa duket asnjëra nuk do të fitojë. Por do të ketë një fitimtar tjetër të madh : Serbia!
Politikanët kosovarë të të gjitha rrymave, të përfshirë në konflikte politiko-shoqërore duket se e kanë harruar rrezikun e Serbisë. Por ky rrezik dallohet qartë nga jashtë Kosovës. Serbia dhe miqtë e saj kanë ndërmarrë një fushatë të fuqishme propagandistike dhe diplomatike kundër Kosovës. Qëllimi i kësaj fushate është që vende të ndryshme të Europës, që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ta ndryshojnë këtë qëndrim. Kjo fushatë përpiqet ta paraqesë Kosovën si një shtet mafioz të krijuar nga Amerika dhe NATO për qëllime të saj. Natyrisht propaganda serbofile nuk e zë në gojë spastrimin etnik të Kosovës nga Serbia, vrasjet masive, përdhunimet dhe vuajtjet e shqiptarëve të Kosovës. Nuk zë në gojë as dëshirën e Kosovarëve për liri dhe për të shpëtuar njëherë e mirë nga sundimi serb.
Kjo fushatë propagandistike përpiqet ta paraqesë luftën për liri të shqiptarëve dhe UCK-së si një luftë trafikantësh, duke u bazuar kryesisht tek një libër i ish-prokurores Karla Del Ponte dhe te një raport i ish-parlamentarit Dick Marty, të cilët bëjnë akuza të rënda ndaj drejtuesve të UCK për trafiqe të ndryshme përfshirë këtu edhe trafik organesh, por duke mos paraqitur as provën më të vogël. Në fakt libri i Del Pontes dhe raporti i Dick Martit bazohen në raporte që vijnë nga Beogradi, që ne shqiptarët e dimë mirë se është uzinë shpifjesh dhe propagande anti-shqiptare.
Për fat të keq bota dhe opinioni i jashtëm nuk i njeh dhe kaq mirë serbët. Si rrjedhim propaganda e tyre, ku është futur qëllimisht edhe një dimension fetar, ka patur njëfarë rezultati, sidomos në qarqe të së djathtës ekstreme. Në Francë për shembull sot zhvillohet një propagandë pro-serbe dhe antishqiptare nga militantë të Frontit Nacional, një parti e së djathtës ekstreme, e financuar nga Rusia, e cila arriti të fitojë në zgjedhjet lokale në vitin 2015 25% të votave duke qenë partia e parë, pavarësisht se u mund në lojën e aleancave politike. Por kandidatja e kësaj partie për president në vitin 2017, Marine Le Pen, i ka të gjitha shanset për t’u zgjedhur përballë kundërshtarëve të saj të dobësuar nga një qeverisje e gjatë dhe me probleme. Nëse do të ndodhte kjo, Kosova do të humbiste një aleat me rëndësi në Europë, që mund ta rishikonte pozicionin e tij.
Nga ana tjetër edhe politikanë të tjerë europianë kanë filluar të kenë dyshime ndaj pavarësisë së Kosovës. Dhe ngjarjet e fundit i përforcojnë më tepër këto dyshime. Pyetja që i vjen në mendje çdokujt duke parë se çfarë ndodh në Kosovë është e thjeshtë: a mund të jetë Kosova vërtet një shtet? A mund të vetëqeverisen shqiptarët?
Dhe askush mos të gabohet : Serbia, pavarësisht fytyrës së butë që paraqet kryeministri i saj, po rri gati për t’u hedhur mbi Kosovën sapo përkrahja ndërkombëtare të bjerë nën nivelet që pret ajo.
Natyrisht janë sot në Kosovë NATO dhe amerikanët, por edhe përkrahja e tyre nuk ka për të qenë e përjetshme, sidomos nëse shqiptarët fillojnë e bëjnë marrëzira, si për shembull një luftë civile.
Në Shqipëri lutta civile e vitit 1943-1944 ka lënë pasoja që shqiptarët i vuajnë edhe sot, por të paktën, për shkak të ekuilibrave ndërkombëtarë dhe faktit që Shqipëria kishte qenë njohur si shtet i konsoliduar që në vitin 1920, ajo mbeti si shtet i pavarur. Kurse në rastin e Kosovës një luftë civile do të ishte fatale dhe mund të përfundonte me një rikthim nën sundimin serb.
Prandaj është në interesin e të gjithë politikanëve kosovarë që të merren vesh me njeri-tjetrin, t’i kthehen dialogut dhe të gjenë një zgjidhje politike për të dalë nga kjo situatë shumë e keqe ku ndodhet sot Kosova.
X.M
Leave a comment
You must be logged in to post a comment.